DEKLARATË PËR SHTYP 6 MARS 2013

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), çështjen e publikimit të ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë si dhe njoftimin e zgjedhësve në banesat e tyre e ka ngritur edhe më parë.
Për këtë çështje ne kemi marrë informacione nga 7 rrethe që janë shoqëruar edhe me disa sondazhe.. E shikojmë të nevojshme të theksojmë se lidhur me këto dy çështje gjendja paraqitet shqetësuese dhe pasojat mund të jenë të ndieshme dhe të dëmshme.
Mospublikimi brenda afateve ligjore i ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë (3 Janar, 3 Shkurt, 3 Mars 2013) u ka hequr mundësinë zgjedhësve të njihen me to, dhe në rast nevoje të kërkojnë ndryshimin e tyre.
Zgjedhësit nuk kanë asnjë njoftim nëse këto ekstrakte janë publikuar dhe në cilin ambient janë vendosur. Mosnjohja e zgjedhësve me këto ekstrakte, mund të reflektojë negativisht në shpalljen jo të plotë dhe jo të saktë të listës së zgjedhësve. Dihet se pas shpalljes së këtyre listave, zgjedhësi mund të ankohet vetëm në gjykatë.
Për të nxitur interesimin e zgjedhësve, për të mundësuar korrigjimin e ekstrakteve zgjedhore si dhe për të garantuar një pjesëmarrje sa më të gjerë në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, ligjbërësi, ka parashikuar detyrimin e kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore që të njoftojnë me shkrim çdo zgjedhës në banesën e vet. Njoftimi do të përmbajë qendrën e votimit, vendodhjen dhe adresën e tij si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën përkatëse (N.52 i Kodit Zgjedhor).
Kryetarët e qeverisjes vendore, mosnjoftimin e zgjedhësve në banesë e justifikojnë me mungesën e fondit që duhet të akordonte Ministria e Brendshme. Në fakt, sipas nenit 52, pika 5 e Kodit Zgjedhor “Shpenzimet për njoftimin ... mbulohen nga Ministria që mbulon shërbimin e gjendjes civile. Fondi përkatës u shpërndahet njësive të qeverisjes vendore në raport me numrin e zgjedhësve që ka çdo njësi e qeverisjes vendore”.
Moszbatimin e dispozitës së mësipërme ligjore KShH e konsideron si shkelje të rëndë sepse, siç përmendim më lart, pasojat për zgjedhësit mund të jenë të rënda.
Pikërisht për këtë arsye, i bëjmë thirrje Ministrisë së Brendshme që në zbatim të nenit 52, pika 5 të Kodit Zgjedhor, t’i akordojë njësive të organeve të qeverisjes vendore, me urgjencë, fondin përkatës që do të mundësonte njoftimin e zgjedhësve në banesat e tyre.
Për KShH-në, edhe pse ligji parashikon që njoftimi me shkrim duhet të kryhej deri më dt.3 Mars 2013, meqënëse kjo detyrë nuk është përmbushur, ai duhet të vazhdojë deri në dt.19 Maj 2013 (afati i fundit i shpalljes së listës së zgjedhësve). Veç kësaj, kemi parasysh edhe faktin se brenda datës 3 Prill 2013 duhet të publikohet edhe ekstrakti i katërt i përbërësve zgjedhorë dhe për pasojë zgjedhësit e informuar mund të kërkojnë ndryshimin e gabimeve të mundshme në ekstraktet.
Në përfundim, ne mendojmë gjithashtu se edhe KQZ-ja do të duhet të merrte informacionin e duhur lidhur me zbatimin e nenit 52 të Kodit Zgjedhor, duke verifikuar situatën nëpërmjet dy auditëve teknicienë të emëruar prej saj.