DEKLARATË PËR SHTYP 20 Shkurt 2013

3 Marsi afati i fundit ligjor për njoftimin e zgjedhësve në banesat e tyre për përfshirjen në ekstraktet e përbërësve zgjedhorë

Sipas nenit 52/1 të Kodit Zgjedhor(KZ), kryetari i njësisë të qeverisjes vendore, brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhorë( d.m.th. deri më 3 Mars 2013), kryen lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrave të votimit, në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore. Lajmërimi me shkrim duhet të përmbajë qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit.

Ky njoftim, që i dorëzohet zgjedhësit personalisht ose, në mungesë të tij, një anëtari madhor të familjes, i cili firmos për marrjen e njoftimit, është tepër i rëndësishëm sepse ndihmon drejtpërsëdrejti, jo vetëm për informimin e zgjedhësve për faktin e përfshirjes në ekstraktet e përbërësve zgjedhorë, por ndikon dhe për nxitjen e tyre për t’u interesuar, me qëllim ndreqjen e çdo pasaktësie, që mund të përmbajë ekstrakti dhe që mund të pengojë ushtrimin e të drejtës së votës prej tyre.

Sipas informacioneve që ka grumbulluar Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme, nëpërmjet sondazheve të kryera në vend, në 8 qarqe të vendit , rezulton se përmbushja e kësaj detyre ende nuk ka filluar. Për shkak të kohës së pakët që ka mbetur në dispozicion ( deri më 3 Mars) duket se do të jetë e vështirë që detyra të realizohet në afat. Ky fakt bëhet më shqetësues po të kemi parasysh se ekstraktet e përbërësve zgjedhorë nuk u afishuan dhe nuk u bënë publike sipas kritereve dhe afateve ligjore, pa përjashtuar këtu faktin se edhe zgjedhësit nuk rezulton të jenë treguar të interesuar, sa duhet , për t’u njohur me to.

Përfshirja në listën e zgjedhësve, me të dhëna të sakta, është një nga kushtet e domosdoshëm për të ushtruar të drejtën e votës, prandaj administrata publike, ashtu dhe vetë shtetasit, duhet të tregohen më aktivë në këtë periudhë paraprake të hartimit të listave të zgjedhësve, me qëllim që të plotësohen të gjitha kërkesat ligjore në këtë drejtim. Mospërmbushja e detyrimeve të kësaj faze paraprake mund të sjellë pasoja tepër të dëmshme, si p.sh mospërfshirja e zgjedhësve në lista, ose përfshirja e tyre me përbërës të pasaktë, të cilat mund t’u pengojnë atyre ushtrimin e të drejtës së votës. Zgjedhësit janë ende në kohë që çdo pasaktësi ta ndreqin në rrugë administrative, duke u paraqitur pranë njësisë së pushtetit vendor përkatës. Nëse të gjitha ankesat e zgjedhësve, që lidhen me ushtrimin e të drejtës së votës, do të mbeten të ndiqen në rrugë gjyqësore, kjo mund të krijojë jo vetëm mbingarkesë në gjykimin e tyre, por dhe vështirësi për shtetasit, për shkak të kohës së nevojshme dhe detyrimeve ligjore, që burojnë nga procesi gjyqësor.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme shpreh, gjithashtu, shqetësim sepse organet e ngarkuara për mbikëqyrjen e këtij procesi, Ministria e Brendshme dhe KQZ, nuk po japin ndihmesë dhe nuk po bëjnë presionin e duhur, mbi njësitë e qeverisjes vendore, për plotësimin e këtij detyrimi ligjor të rëndësishëm.

KOALICIONI PËR ZGJEDHJE TË LIRA E TË NDERSHME (KSHH, ADRF dhe QAGJZH)