Forum qytetar me kandidatë për deputetë të qarkut të korçës

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) zhvilloi një forum qytetar në dt. 5 Qershor 2013, në qytetin e Korçës, me pjesëmarrjen e kandidatëve për deputetë, që garojnë në Zgjedhjet Parlamentare të dt.23 Qershor nga listat e Partisë Demokratike, Partisë Socialiste, Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Partisë Fryma e Re Demokratike dhe Partisë Republikane. Auditor i këtij forumi ishin përfaqësues të organizatave jofitimprurëse dhe aktivistë të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, student, intelektualë, përfaqësues të jetës akademike dhe të medias në qytetin e Korçës.

Me anë të këtij forumi iu dha mundësi rreth 100 pjesëmarrësve të njohin personalisht kandidatët për deputetë të Qarkut të Korçës, si dhe të marrinj njohuri rreth programeve të subjekteve zgjedhorë, për rrugët e zgjidhjes së problemeve që përbëjnë shqetësim për komunitetin qytetar, nëpërmjet adresimit të pyetjeve dhe të dëgjimit të përgjigjeve nga kandidatët për deputetë. Pyetjet që u adresuan në këtë forum kishin të bënin me rritjen e cilësisë së arsimimit dhe përshtatjes së tij me nevojat e zhvillimit të vendit si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale dhe rritja e aksesit për personat me aftësi të kufizuar.

Forumi u zhvillua me sukses, duke plotësuar pritshmëritë e të pranishmëve. Ai u ndoq dhe u trasmetua nga media të shumta lokale dhe kombëtare.

Forumi u moderua nga znj.Vjollca Meçaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Ky forum u realizuan në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për ushtrimin e të drejtës për të votuar në Zgjedhjet Parlamentare të dt.23 Qershor 2013”, i cili mbështetet financiarisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.