|
Misione sensibilizimi dhe edukimi ligjor të zgjedhësve në disa rrethe të vendit
Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit 2013, KShH ka realizuar gjatë periudhës Prill - Maj 2013, një sërë aktivitetesh sensibilizuese dhe u angazhua në edukimin ligjor të zgjedhësve në disa rrethe (përfshi qytetet dhe komunat), si në Durrës, Gjirokastër, Sarandë, Fier, Elbasan, Librazhd, Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Kukës. Aktivitetet sensibilizuese janë zhvilluar me përfaqësues të autoriteteve vendore, studentë dhe gjimnazistë të cilët votojnë për herë të parë, anëtarë të MInoriteteve, etj.
KShH realizoi takime me ato institucione vendore, të cilat në bazë të Kodit Zgjedhor kanë përgjegjësi direkte dhe/ose indirekte në mbarëvajtjen dhe administrimin e procesit zgjedhor si Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhorë, Prefekturat, Bashkitë, Komunat, Zyrat e Gjendjes Civile në rrethe, Drejtoritë e Policisë në Qarqe, Spitalet Rajonale, etj. Me anë të takimeve, KShH rriti ndërgjegjësimin e përfaqësuesve të këtyre institucioneve për sa i takon ushtrimit të kompetencave të tyre në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor.
Me qëllim rritjen e aksesit të zgjedhësve që votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Parlamentare të dt.23 Qershor, KShH zhvilloi takime me studentë dhe maturanë në Universitetet dhe Shkollat e Mesme Publike dhe jo Publike, përkatësisht: Shkolla e Mesme “Siri Shapllo” dhe Universiteti “Eqrem çabej” në qytetin e Gjirokastrës, Filali i UT në Qytetin e Sarandës, Shkolla e Mesme “Naim Frashëri” dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, Shkollat e mesme “Konstandin Kristoforidhi”, “Dhaskal Todri” dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani”në Qytetin e Elbasanit, Shkolla e Mesme “Ibrahim Muça” në qytetin e Librazhdit, Shkolla e mesme jopublike “Flatrat e Dijes” dhe Filiali i Universiteti privat “Kristal” në qytetin e Fierit, Shkolla e Mesme “Raqi Qirinxhi” dhe Fakulteti i Mësuesisë - Universiteti “Fan Stilian Noli” në qytetin e Korçës, Fakulteti i Gazetarisë - Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Qytetin e Shkodrës, Shkolla e mesme jopublike “Reald” dhe Fakulteti të Drejtësisë - Universiteti “Ismail Qemali”. Në total janë takuar rreth 500 studentë dhe 300 gjimnazistë, të cilët janë ndërgjegjësuar lidhur me rëndësinë e ushtrimit të së drejtës së votës, konsultimet me listat e zgjedhësve dhe rrugën administrative ose gjyqësore që ndiqet për korrigjimin e tyre, procedurën e ditës së votimit, etj.
Në fokus të veçantë të këtyre aktiviteteve kanë qenë edhe anëtarë të Minoriteteve të ndryshme që jetojnë në vendin tonë, të lokalizuar në zonat urbane ose rurale. KShH, me anë të metodës street laë (ligji i rrugës), ka kontaktuar anëtarë të ndryshëm të Minoritit Rom (rreth 170 Rom), përfaqësues të organizatave dhe shoqatave që përfaqësojnë interesat e Minoritetit Maqedonas dhe atij Malajzez, anëtarë të Minoritetit Grek, etj. Në mënyrë të veçantë, Minoriteti Rom u sensibilizua rreth rëndësisë së ushtrimit të së drejtës së votës në mënyrë të lirë dhe të ndershme, pa presione dhe kërcënime apo pa u bërë pre e praktikave të paligjshme korruptive.
Me qëllim edukimin ligjor të mbarë opinionit publik, KShH ka realizuar emisione sensibilizuese në disa nga Mediat Lokale të qyteteve të mësipërme si TV lokal “Gjirokastra”, TV lokal në qytetin e Elbasanit dhe të Vlorës, TV lokal “Apollon” në qytetin e Fierit, TV lokal “Korça”, TV lokal “Rozafa” në qytetin e Shkodrës, et. Gjatë këtyre emisioneve u trajtuan tematika të rëndësishme rreth sensibilizimit dhe edukimit ligjor të zgjedhësve, veçanërisht të atyre grupeve të popullsisë që nuk disponojnë informacionin e nevojshëm në këtë drejtim.
Këto misione u realizuan në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për ushtrimin e të drejtës për të votuar në Zgjedhjet Parlamentare të dt.23 Qershor 2013”, i cili mbështetet financiarisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. |
|