Projekti Vota Rinore përmbush me sukses misionin e tij

Dt 6 qershor 2013 u mbajt aktiviteti përmbyllës i projektit Vota Rinore. Qëllimi i këtij projekti konsistonte në ndërgjegjësimin e të rinjve që votonin për herë të parë se pse është e rëndësishme të merret pjesë në votime si edhe të kuptojnë se sa vlerë ka vota e tyre.
Projekti siç edhe kemi bërë me dije më parë u shtri në 15 qytete të vendit duke siguruar kështu një përfshirje veri-jug dhe lindje-perëndim të të gjithë vendit. Në këtë projekt u përfshinë 30 studentë të të gjitha degëve të studimit, ku me shumë seriozitet dhe përkushtim e realizuan me sukses misionin e tyre, atë të të qenit ambasadorët e votës së lirë tek bashkëmoshatarët e tyre.
Aktiviteti përmbyllës u mbajt në ambientet e universitetit “Marin Barleti” si partneri kryesor mbështetës i institutit AIPA. Ky organizim ishte menduar të ndërthurte energjinë dhe përkushtimin rinor të vullnetarëve të përfshirë me ekspertizën dhe durimin akademik nga ana tjetër. Kësisoj pas fjalëve përshëndetëse të drejtorit të institutit AIPA dhe rektorit të Universitetit, fjalën e mori konstitutcionalisti Ledian Droboniku, i cili evidentoi rëndësinë e të drejtës për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur sipas legjislacionit kombëtar dhe në rrafsh krahasues.
Më pas erdhi rradha e të rinjve vullnetarë, artistët kryesorë të këtij projekti. Sara dhe Majlinda bënë një ekspoze të detajuar të projektit dhe të eksperiencave që hasi gjithsecili në udhëtimet anembanë vendit. Më pas Irena dhe Eugeni të ndjekur edhe nga studentë të tjerë shprehën me shumë thjeshtësi përshtypjet dhe vlerësimet e tyre për këtë projekt duke uruar që të tilla aktivitete të përsëriten edhe në të ardhmen.
Një analizë cilësore dhe vlerësuese e projektit u soll nga koordinatorja e tij, Drnt Elona Bano e cila u ndal në specifika si: sa ndikon vota familjare tek të rinjtë dhe ku haset më shpesh ajo; sa interes kishin të rinjtë për projektin Get the Youth Vote, si ishin sjelljet e të rinjve të ndarë sipas qyteteve apo zonave gjeografike; sa ndikoi në sjelljen e studentëve vullnetarë ky projekt etj. Po ashtu znj. Bano falënderoi përzemërsisht të gjithë bashkëpunëtorët që ndihmuan në realizimin e këtij projekti që ndihmuan për realizimin e klipeve, trajnimeve, webit, fotove, etj.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të organizatave të tjera përfituese të granteve të vogla si : Byla, Mjaft, Edna etj. Ndërsa përfaqësuesit Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri znj. çuko dhe Pistoli në fjalën e tyre nënvizuan faktin se Vota Rinore përveçse ishte një projekt specifik nga mënyra e implementimit të tij ai solli risi për sa i përket ndërthurjes së grupmoshave dhe eksperiencave duke arritur zbatimin me rezultate maksimale të qëllimit të projektit. Po ashtu instituti AIPA me anë të projektit Vota Rinore arriti të kthehej në një lider për 7 organizata të tjera jofitimprurëse që përfituan grante duke ju ofruar atyre jo vetëm një hapësirë mediatike në webin e tyre vote.youthact.al por edhe duke ndihmuar në koordinimin e të gjithë aktiviteteve të tjera. Pra projekti vota rinore, studentët vullnetarë dhe koordinatorët e tij e përmbushën me sukses misionin e tyre.